
Sulmuesi i Kastriotit Jurgen Vatnikaj deklaron për "Telesport" pas përfundimit të aktit të parë të 1/16 ndaj Partizanit (2-4) se pavarësisht diferencave të mëdha që ekzistojnë midis të kuqve dhe krutanëve, skuadra nuk ishte e përqëndruar maksimalisht për këtë takim, por për sfidën direkte me Luftëtarin ditën e diel në orën 14:00. 23-vjeçari theksoi se është koha që ekipi të ngre kokën dhe të luftojë deri në fund për të siguruar mbijetesën.
"Supergoli i shënuar me Partizanin? Ndjenjë e mirë. Ishte një gol që e prisja. Më bëhet qejfi që e shënova. Shpresoj të kem vazhdimësi. Kam shënuar dhe në miqësore me Kamzën dhe Teutën. Pavarësisht se kishim disa mungesa. Pjesën e parë ishim mirë. Pastaj mungesat bëjnë të vetën.
Të qenit sulmuesi i vetëm? Rodger nuk ka qenë në 100%-shin e tij. Henry (Okebugwu) nuk ka ardhur ende në më të mirën e tij. Taulanti, që është një alternativë në këto momente, e ka treguar veten edhe vjet e sivjet. Nuk është se jam vetëm. Tani edhe dita bën të vetën. Kemi luajtur ndeshje të mira. Edhe fati në disa momente nuk ka ndihmuar. Shpresojmë të ngremë kokën në dy fazat e fundit.
Sfida direkte me Luftëtarin? Aty jemi përqëndruar. Ndeshjen e Kupës (me Partizanin) e lamë si pas dore. Shpresojmë që ajo ndeshje të ndryshojë dhe gjendjen në klasifikim, të afrohemi disi me Gjirokastrën. Të reduktohet ky hendeku i madh me 7 pikë.
Kush duhet të jetë kapiten? Është kapiteni i ekipit. Megjithatë besoj se trajneri do të gjejë zëvendësuesin e Çelës. Janë punë që i përkasin stafit teknik, mua më takon të japë më të mirën në fushë", deklaroi Vatnikaj.