
Ndeshjen e radhës në kampionat, Tirana pret në shtëpi Kastriotin. Nuk është thjeshtë një 90 minutësh më shumë, por këtu mund të vendoset thuajse gjithçka për fatin e këtij sezoni, pasi të dyja skuadrat luftojnë për mbijetesë dhe kush merr 3 pikët, bën një progres shumë të madh drejt objektivit.
Këto janë ndeshje që tifozët japin një kontribut shumë të madh, duke ndihmuar skuadrën vendase. Mirëpo, Tirana është e dënuar me 4 takime nga Komisioni i Disiplinës që ndeshjet në shtëpi t'i luajë pa praninë e spektatorëve.
Deri më tani, bardheblutë i kanë luajtur 3 ndeshje pa praninë e spektatorëve. Si fillim ndaj Kukësit (0-2), Skënderbeut (1-0) dhe Luftëtarit në Kupën e Shqipërisë (5-3). Sipas rregullores, klubi në momentin që shlyen gjysmën e dënimit, atëherë pjesën tjetër mund ta paguajë në masë lekësh, por kjo nuk ka ndodhur.
Kur jemi disa ditë përpara kësaj sfide, burime pranë FSHF-së, për newsport.al thonë se ende nuk është paguar gjoba e ndeshjes së mbetur, në mënyrë që tifozët të kthehen në stadiumin "Selman Stermasi". Gjithsesi mbetet për t'u parë në ditët në vijim, pasi tifozët janë "lojtari i 12-të" i një skuadre dhe do i jepnin një shtysë shumë të madhe për të marrë maksimumin nga ky 90 minutësh.