
Një ecuri prej 15 takimesh pa humbje nuk do ta kishte imagjinuar askush. Përfaqësuesja e Kosovës i ka befasuar të gjithë me rekordin që kërkon ta vijojë edhe në transfertën e vështirë dhe mjaft delikate, ndaj Anglisë.
Eksperienca e "Tre Luanëve" e kthen Kosovën në një skuadër të vogël, gjithsesi ambiciet për të arritur larg nuk mungojnë. Një "shuplakë" të fortë ia kanë dhënë edhe kompanitë e basteve, të cilat e kuotojnë Kosovën si jo favorite, madje, duke e cilësuar si shumë të vogël përballë një Anglie me emra si Maguire, Sterling, Kane apo Dele Alli.
Fitorja e Anglisë kuotohet me rreth 1.1, teksa barazimi vlerësohet me 11. Kush beson te fitorja e Kosovës, koeficenti është 20 e lart. Shifër e mirë, por se sa do ia arrijnë "Dardanët" mbetet të shihet. Takimi mes Anglisë dhe Kosovës është i vlefshëm për grupin A kualifikues të Euro 2020. Aktualisht, dy kombëtaret ndajnë pozicionet 1 dhe 2 me "Tre Luanët" që kanë një pikë më shumë se Kosova.