
Luciano Moggi, këshilltari i ri i presidentit të Partizanit, Gaz Demi ka folur për mediat pas ndeshjes me Kukësin, e cila përfundoi në barazim 1-1.
Menaxheri i njohur italian, ish drejtori i Juventusit u shpreh se Partizani e meritoi fitoren, por nuk ka një lojtar që të dërgojë topin në rrjetë.
“Mendoj se këtij Partizani i mungon dikush që të çojë topin në portë dhe duhet gjetur ai. Ekuban është një lojtar shumë i mirë teknikisht, por nuk e gjuan shumë portën. Krijon hapësira që mund të shfrytëzohen nga shokët e tij, por për të duhet një pykë”,tha ai.
Më pas italiani u ndal edhe te ndeshja duke e analizuar. “Kam parë edhe ndeshjen tjetër që Partizani e fitoi 2-1. Me Kukësin ishte një ndeshje e mirë të cilën Partizani meritonte ta fitonte, por kur topi nuk do të hyjë….”, deklaroi Luciano Moggi.