
Trajneri i sapozgjedhur i Kamzës Gentian Stojku nuk i nënshtrohet presionit të kampionatit dhe problemeve të brendshme që po kalon klubi. Kukësi është pengesa e madhe, pasi përballen në kuadër të javës së 23-ë të kampionatit. Në një prononcim për "Supersport" për herë të parë si teknik i ekipit kamzali, Stojku theksoi se e njeh mirë ekipin dhe e kaluara duhet të fshihet nga kujtesa e skuadrës.
"Prapaskenat e pranimit të ofertës së Kamzës? Unë vetë e njoh mirë ekipin dhe mund të them me bindje, që pjesa më e madhe e këtyre lojtarëve, nuk e meritojnë të jenë në këto pozita. Kam folur me drejtuesit dhe kam marrë garancinë e tyre për normalizimin e problematikave, ndaj dhe vendosa të pranoj ofertën. Situata nuk është aspak e mirë, por besoj se me punë do të mund t'ia dalim.
Do të mbyll një faqe, pasi nuk më intereson se çfarë ka ndodhur deri tani. Unë i shoh gjërat nga tani e mbrapa dhe ua kam bërë të qartë edhe djemve, që ne na fillon kampionatin këtë javë. Do të punojmë edhe në anën psikologjike, por edhe në anën tekniko-taktike, pasi skuadra duhet t'i përshtatet mënyrës time të lojës.
Beteja me Kukësin? Kam gjithë jetën me sportin dhe nuk e njoh aspak presionin. Duke filluar që nga ndeshja e kësaj jave, ne do të shkojmë për të luajtur dhe për të marrë 3 pikët", deklaroi trajneri Stojku.
Pas humbjes në shtëpi ndaj Kastriotit javën e kaluar, Kamza ka ngecur në vendin e fundit në renditje.