
Skënderbeu do të luajë një sfidë delikate në transferën e vështirë kundër Kastriotit. Synimi i vetëm i korçarëve në këto 6 javë të mbetura, është marrja e pikëve maksimale për t'i qëndruar në Superiore. Situata te bardhekuqtë nuk duket aspak e mirë. Vangjel Zguro do të mungojë për shkak kartonësh të verdhë, ndërsa Elvi Berisha është ai që ka shqetësuar shumë trajnerin Migen Memelli.
Sulmuesi i talentuar që po kalon një formë të mrekullueshme u detyrua të dilte para kohe nga fusha e blertë. Një goditje në kavilje nga ana e lojtarëve të Bylisit ka krijuar probleme për futbollistin e rritur te Akademia e Tiranës. Memelli ia njeh mjaft mirë vlerat dhe ndaj Kastriotit e do patjetër në fushë. Pritet me interes të shihet nëse ai do të rikuperohet në kohë për ndeshjen e së dielës kundër krutanëve.