Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka qenë sot, në qytetin e Korçës, për të nderuar legjendat e sportit të qytetit. Teodor Vaso, Dhimitraq Xhambazi dhe Koço Dinellën, trajnerin e atletëve shqiptarë Piro Kasatin,Pavlina Evro, volejbollisten Tamara Nikolla dhe basketbollisten e Zamira Koleci.
Në këtë ceremoni ishte i pranishëm dhe presidenti i Skënderbeut, i cili ka dhuruar presidentit të Republikës një fanellë të skuadrës korçare.
Postimi i Metës në Facebook:
Në "Parisin e vogël", Korçën e serenatave, dashurisë, qytetarisë, arsimit dhe atdhedashurisë, pata nderin të vlerësoja sot disa nga legjendat e sportit korçar por edhe atij kombëtar, të cilët kanë shkruar historinë më të ndritur të klubit "Skënderbeu" në të gjitha disiplinat: futbollistin e shkëlqyer e të papërsëritshëm Teodor Vaso; golashënuesin e shquar Dhimitraq Xhambazi; portierin e "ajrit" Koço Dinella; trajnerin e papërtuar të atleteve shqiptare, Piro Kasati; kampionen e dimensioneve europiane dhe "mbretëreshën" e atletikës Pavlina Evro; simbolin e volejbollit shqiptar Tamara Nikolla dhe basketbollisten e jashtëzakonshme Zamira Koleci. Shembulli i tyre është frymëzues për fëmijët e të rinjtë për të arritur rezultate të larta dhe për të qenë të suksesshëm, jo vetëm në sport, por edhe në jetë.