
Deklarata e Ildi Dajlanit në mediet azere, ka marrë tashmë jehonë në vendin tonë. "AzeriSport.com" raporton se menaxheri i klubit të kuq ishte shprehur se nuk ka asgjë konkrete për Karikarin teksa nuk e dinte si do të përfundonte operacioni.
Në këtë mënyrë tregohet se ka interes për 26-vjeçarin, megjithatë newsport.al mëson se e vërteta qëndron ndryshe. Për mediat azere Dajlani ka deklaruar se nuk ka dijeni aspak për futbollistin në fjalë.
"Zoti Dajlani. Edhe Neftçi do të vijë në Antalia. Ndoshta në Turqi, Partizani dhe Neftçi do të flasin rreth Karikarit?"- ka qenë pyetja e gazetarit për menaxherin e klubit të kuq. Ndërkohë ky i fundit është përgjigjur: "Nuk e di për këtë futbollist. Ne jemi në Antalia, por s'kam informacion për Karikarin". Më tej gazetari nuk është zgjatur duke i uruar: "Paçi fat".
Ndërkohë media azere e ka pasqyruar deklaratën e Dajlanit në mënyrë të tillë: "Ne po punojmë për të tërhequr afrime të reja dhe kemi nisur të kontaktojmë për futbollistët të cilët janë në listën tonë. Për Karikarin nuk mund të them ende asgjë, duke qenë se nuk e dimë si përfundon ky operacion. Pas disa ditësh, do të qartësojmë edhe afrimet e reja në skuadër".
Është e vërtetë që Azerbajxhani është disi larg nga vendi ynë, megjithatë fjalët tashmë mund të mbërrijnë në kohë rekord falë teknologjisë së përparuar. "Si u bë qimja tra?", mund të zërë vend në këtë rast. /Newsport.al/