
Esat Mala ishte një nga lojtarët më të mirë në fushë për skuadrën e Partizanit në barazimin 0-0 kundër Laçit. Mesfushori i të kuqve u shpreh se skuadra e tij bëri një lojë të mirë dhe me më shumë qetësi mund të kishin marrë një fitore të rëndësishme.
Ai preku momentin kur u pretendua për penallti teksa tregoi se çfarë kishte ndodhur në fushë. Në fund kërkoi edhe një ndeshje tjetër në mënyrë që të kapë ritmin për t'i dhënë volumin e duhur fazës ofensive të kryeqytetasve.
"Mendoj që bëmë një lojë shumë të mirë, sidomos në pjesën e parë. Edhe pjesën e dytë luajtëm mirë. Me pak qetësi mund të kishim marrë 3 pikë shumë të vlefshme.
A ishte penallti kur u rrëzove në zonë? Në momentin e parë kisha kontakt me topin, ndërsa ai preku këmbën time.
Pozicioni në fushë? Besoj se me ardhjen e Dajës kemi komunikuar se ku ndihem më mirë. Janë dy pozicione që mund të ndihëm mirë dhe të jap volum. Edhe një ndeshje tjetër sa të marr atë ritmin e lojës për t'i shërbyer ekipit. Sa i përket Xhixhës, ishte një duel i bukur me të sepse e njoh prej kohësh", deklaroi Esat Mala.