
U afrua te Kukësi si zëvendës i Simon Rrumbullakut, por ky sezon duket se ka qëlluar i duhuri për brazilianin William Cordeiro.
Mbrojtësi i Kukësit ka dalë në konferëncë për shtyp së bashku me trajnerin Armando Cungu. Para mediave, ai ka prekur një sërë temash, ndërsa në fund është ndalur te merkato e verës.
Pozicioni - Kam ardhur si mbrojtës, por edhe në Brazil kam luajtur në pozicione të tjera. Për mua nuk ka shumë rëndësi se ku luaj në fushë. Unë vetëm jap maksimumin kudo që të luaj. Që të arrijmë objektivat që kemi si grup ne duhet të fitojmë në ndeshjen e nesërme.
Skënderbeu - Skuadra tani është e pjekur dhe mendoj se do të jetë një ndeshje e bukur, por në fund ne do të marrim 3 pikë.
Rezultati - Një ekip që do të dali kampion, nuk mund të kënaqet me barazimin. Kemi punuar mirë këtë javë dhe ajo që do të kërkojmë në ndeshjen e nesërme janë tre pikët.
Jeta në Shqipëri - Jam shumë i lumtur këtu. Më kanë pritur mirë edhe në klub dhe në qytet nuk kam asgjë kundër. Jam adaptuar mirë, ka shumë pak diferenca me Brazilin. Këtu ka më shumë forcë dhe intensitet.
Marrëdhëniet me presidentin - Respektoj mendimin e tij, por për ne me rëndësi janë vetëm 3 pikët. Për mua kanë rëndësi pikët që të realizojmë objektivat.
Merkato - Është akoma herët për të folur për largim. Kam një kontratë me Kukësin dhe nuk më pëlqen të flas shumë për të ardhmen. Jam i lumtur këtu dhe në mbarim të sezonit do të flasim për këtë çështje. Të dyja ndeshjet do të jenë të mëdha. Nuk shoh nëse njëri ekip është më i fortë apo tjetri. Ne duam të jemi kampionë dhe duhet t'i mundim të dyja.