Pas minifazës përgatitore skuadra e Kukësit është rikthyer prej dy ditësh në Shqipëri. Presidenti i klubit Safet Gjici ka bërë mbledhjen e parë për këtë vit me stafin teknik për të njohur gjendjen e lojtarëve si dhe i ka shpalosur trajnerit Cungu objektivat e skuadrës, titullin kampion dhe Kupën. Gjici u ka shprehur mbështetje stafit dhe lojtarëve dhe u ka kërkuar atyre të japin maksimumin në gjysmën e dytë të sezonit. Me anë të një postimi në faqen e tyre zyrtare në Facebook bëjnë me dije për mbledhjen e parë për vitin 2019 midis stafit teknik dhe presidentit.
Postimi i Kukësit:
FK Kukësi zhvillon mbledhjen e parë për vitin 2019
Numri një i Futboll Klub Kukësit, Safet Gjici, ka realizuar mbledhjen e parë me stafin teknik, pas përfundimit të festave të fundvitit dhe minifazës përgatitore në Antalia të Turqisë.
Pasi u njoh me gjendjen e lojtarëve, nga raportimi i trajnerit Cungu dhe drejtori Nexhipi, Presidenti ka kërkuar angazhim maksimal për drejtuesit dhe futbollistët, duke iu kërkuar atyre të japin maksimumin për pjesën e dytë të sezonit futbollistik në objektivat kryesore, fitimin e Titullit Kampion dhe marjen e Kupës së Shqipërisë.
Në fjalën e tij, zoti Gjici shprehu mbështetjen e tij për stafin dhe lojtarët në arritjen e objektivave, duke filluar që nga ndeshja e parë me KF Apoloninë, e vlefshme për Kupën e Shqipërisë si dhe sfidën ndaj KF Laçit, e vlefshme për Javën e XIX-të të Kategorisë Superiore.