Lacio dhe Igli Tare i rikthehen pistës “Mërgim Mavraj”. Mbrojtësi i Kombëtares kuqezi, sipas shtypit sportiv italian, ka mundësi të lërë Bundesligën dhe të bashkohet me Lacion në Serinë A. 30-vjeçari me shumë përvojë ka treguar një formë shumë të mirë në Francë, veçanërisht në ndeshjen e fundit, duke i bindur drejtuesit e klubit roman për vlerat e tij. Igli Tare e ka kërkuar Mavrajn edhe disa sezone më parë, por kosovari zgjodhi Këlnin në atë kohë. Tani duket se ka ardhur momenti ta ketë në ekip. Aktualisht, drejtori i Lacios është më shumë i angazhuar me çështjen e trajnerit, që më shumë mundësi do të jetë argjentinasi Marselo Bielsa. Më pas do të bëhen përforcimet e skuadrës për sezonin e ri dhe një prej tyre mund të jetë edhe qendërmbrojtësi kuqezi.