Ishin të paktë ata që besonin tek Luftëtari në fillim të sezonit, por tani mund të flitet ndryshe. 22 pikë të grumbulluara, ndeshje të luajtura denjësisht dhe lojtarë të fituar. Trajneri Mlladen Milinkoviç gjithashtu mund të konsiderohet si suprirza e sezonit për mënyrën se si e ka bërë skuadrën të luaj.
Deri këtu është një analizë e bërë dhe e shkruar edhe më parë, ndërkohë që klubi nga Gjirokastra meriton të vlerësohet për mënyrën se si e ka menaxhuar situatën në periudhën e muajve dhjetor-janar.
Dejvi Bregu, Rexhinaldo, Kristal Abazaj, Bojom apo dhe ndonjë tjetër ishin dëshirat e klubeve të mëdha të Superligës. Klubi i Luftëtarit i bllokoi lojtarët e spikatur duke refuzuar të gjitha tratativat me Skënderbeun, Tiranën apo ndonjë klub tjetër. Jo vetëm kaq, por në Gjirokastër menduan të përforcohen me elemtëntë rinj.
Drejtuesit e klubit menduan gjithashtu të nisin skuadrën drejt Antalias për të vijuar me seriozitet përgatitjet për gjysmën e dytë të sezonit. Një shëmbull për t’u marrë nga klubet e gjysmës së poshtme të tabelës. Menaxhim i mirë, buxhet jo i lartë dhe dëshirë për të punuar.