Arbër Abilaliaj ka dhënë verdiktin e tij për derbin e kryeqytetit. Si një ish i kësaj sfide, ish-sulmuesi vlonjat analizon shkurtimisht ndeshjen e së premtes, gjendjen e skuadrave dhe në fund tenton të parashikojë sfidën. Sipas tij, favorite është Tirana.
E veçantë në intervistën e dhënë për Supersport, është ndjesia e tij për të qenë pjesë e një derbi të kryeqytetit. Sipas vlonjatit, te Tirana ka më shumë presion pasi e ndjejnë veten si skuadrën që përfaqëson kryeqytetin.
“Është një ndeshje për t’u fituar sepse emocionet janë të pashmangshme. Ekipi që shkon përpara në derbi, ka aftësinë për të dalë kampion. Është një ndeshje që duhet fituar doemos nga të dy skuadra.
Ambienti? Fitorja është fitore, është fitore karakteri dhe morali që vlen jashtëzakonisht shumë për ecurinë e kampionatit. I vetmi ndryshim, lojtarët te Tirana e kanë më të ndjerë sepse mendojnë se përfaqësojnë kryeqytetin.
Karriera? Kam qenë shumë futbollist i ri. Kam qenë 19 vjeç. Ateherë ishin ajka e futbollit shqiptar. Është ndjesi e jashtëzakonshme. Fitorja dhe kur kënaq pritshmëritë e publikut, është një kënaqësi e jashtëzakonshme.,
Fitorja? Mendoj që është shumë i rëndësishëm sepse kampionati po shkon drejt fundit. Vlen më shumë se 3 pikë. Tirana është lart me moralin, një fitore në minutat e fundit me Kukësin s’është pak. Partizani vjen në një moment ku po vuan. S’po gjen ato ingranazhet e duhura për të ecur para.
Favoritë? Favorite është Tirana. Ka bërë 10 fitore. Absolutisht e shikoj favorite edhe pse në derbi gjithçka mund të ndodhë. Por, për moral, për pikët që kanë dhe kontigjentin që kanë, shikoj Tiranën. Ekipi që është më i përqëndruar fiton.
Parashikim? Do jetë një futboll i bukur, i luftuar. Çdo gjë do përcaktohet në fushën e lojës. Nga ana arbitrare, shpresoj mos të bëhen personazh”, përfundoi ai.