
Albi Doka u largua nga Tirana në këtë merkato vere duke u transferuar te skuadra e Goricës në Kroaci. Mbrojtësi i linjës së djathtë ka qenë titullar duke arritur të shndërrohet në pikë referimi për prapavijën e ekipit kroat. Paraqitja e tij mirë nuk kishte si të mos binte në sytë e Edi Rejës. Trajneri italian me sa duket e ka në plane për ndeshjet e tetorit. Siç raporton Abc News, 23-vjeçari do të marrë një ftesë për t'iu bashkuar kuqezinjve.
Fillimisht kombëtarja jonë do të luajë një miqësore në Armeni e 4 ditë më vonë ndeshjen zyrtare për Ligën e Kombeve kundër Kazakistanit. Në 14 tetor përballet me Lituaninë në transfertë. Një lajm i mrekullueshëm ky për Albi Dokën që u rrit dhe shkëlqeu te Tirana. Por, largimi nga bardheblutë duket se ka qenë fatsjellës për të. Veç formës së mrekullueshme me Goricën, tashmë një biletë me Kombëtaren duket se është prerë. Megjithatë duhet pritur lista zyrtare për të mësuar nëse Doka do të grumbullohet ose jo në ekipin kuqezi.