Skënderbeu do të presë në shtëpi ditën e nesërme Besëlidhjen. Ndeshje e dytë e vlefshme për Kupën e Shqipërisë do të luhet në Korçë. Në prag të ndeshjes Orges Shehi ka folur për mediat duke prekur disa tematika të ndryshme. Shehi ka folur për dy largimet e fundit nga skuadra, sfida ndaj Besëlidhjes si dhe ka komentuar deklarëtën e klubit lidhur me largimin nga kampionati.
Largimet e Alitit dhe Hoxhaj? “Janë dy largime të rëndësishme. Alitin e prisnim nga momenti në moment. Duke qenë lojtar me cilësi, duke qenë lojtar i përfaqësueses së Kosovës, e dinim që oferta nga jashtë kishte vazhdimisht. Ato u konkretizuan në ditën e fundit. Largimi i tij na dobëson nga organika, por është në kuadër të strategjisë që ka klubi. Është një transferim që do ia uronim kujtdo. Hoxhaj është larguar dje në drejtim të një klubi tjetër. Do më shumë minuta dhe shpresoj t’i ketë aty ku do të shkojë”
Largimi nga kampionati? “Unë jam trajneri i skuadrës, kurrsesi nuk mund të komentoj deklaratat e presidentit. Ai është shkalla më e lartë e klubit. Ne do të përqendrohemi te ndeshja e nesërme me Besëlidhjen. Nuk duhet të qahemi për atë që iku, pasi duke e bërë diçka të tillë do të humbasim edhe atë që do të vijë. Fokusi është te fushë dhe ndeshja. Duhet të përqendrohemi te ndeshja e nesërme. Me çështjen merren drejtuesit e klubit”, shtoi Shehi.
Rezultatet negative?“Rezultat nuk kanë qenë ato që dëshironim, do bëjmë maksimumin të kthehemi që këtë javë te rezultatet pozitive. Ka pasur shumë faktorë që kanë ndikuar dhe një prej tyre është se nuk e kemi pasur kurrë grupin e plotë. Me Laçin do jenë të gjithë dhe shpresojmë të kthehemi aty ku duhet. Nuk është mirë për të gjithë ne, për vazhdimësinë e skuadrës, që mos të marrim rezultatet pozitive”, përfundoi numri një i pankinës korçare.