Agustin Torasa është një nga lojtarët më të njohur të kampionatit shqiptar. Në vitet e fundit, argjentinasi ka qenë ndër më të mirët në rolin e tij në fushën e blertë. I fortë fizikisht dhe me mjaft klas me topin, Torasa mbetet ndër të preferuarët e trajnerëve të elitës sonë. 32-vjeçari ishte pjesë e Tiranës në dy sezonet e fundit, teksa sot shpalli përfundimisht divorcin me bardheblutë.
Torasa u afrua për herë të parë në Shqipëri nga klubi i Partizanit. Në merkaton e dimrit të vitit 2016-të, shtashkurtri do të prekte për herë të parë tokën shqiptare. Asokohe nuk u fut në formacion me të mbërritur, por arriti të merrte dalëngadalë minuta. Në kampin e kuq flitej për një rrogë të kripur që kapte shifrën e 10 mijë eurove.
Në sezonin pasues, ai u shndërrua në një nga lojtarët kryesorë të Partizanit. Shumëkush mund ta mbajë mend edicionin 2016-2017 ku të kuqtë drejtoheshin nga Sulejman Starova. Në linjën e djathtë ishin Abnor Fejzullahi si mbrojtës dhe Torasa në ndihmë të sulmit. Kombinimet e tyre ishin të jashtëzakonshme. Kaq mjaftoi dhe shtashkurtri u shndërrua në një nga futbollistët e preferuar të presidentit Gaz Demi.
Pikërisht atë sezon, Partizani ishte kandidat potencial për titullin kampion. Me një super Kaleb Ekuban në skuadër dhe me Torasën në shërbim të tij, të kuqtë ishin një nga rivalët për t’u mundur. Por, në fund arriti të triumfonte Skënderbeu i Korçës. Asokohe pati disa tratativa mes Torasës dhe drejtuesve të Partizanit për të gjetur një marrëveshje të re, por kjo nuk ndodhi.
Tashmë argjentinasi është momentalisht pa skuadër. Ilir Daja ia njeh mirë cilësitë pasi e ka pasur nën urdhrat e tij te Flamurtari. Dikur ishte i preferuar edhe për presidentin Gaz Demi. Në fushë ka treguar se ka ende për të dhënë. Në këtë vorbull të merkatos së verës, pritet të shihet nëse do të ketë ndonjë shkëndijë të kuqe në drejtim të shtatshkurtrit.