
Ilir Shulku ka folur për largimin e policisë nga stadiumet dhe zëvendësimin e tyre me siguri private. Në një intervistë për ABC Neës, sekretari i përgjithshëm i FSHF-së ka analizuar situatën e deri tanishme në kampionatin shqiptar. Shqetësimi i madh është zbatimi i ligjit me dy standarte, edhe se Federata Shqiptare e Futbollit në fillim të sezonit e ka shprehur qartë qëndrrimin se ky ligj është i nxituar dhe do të rrezikojë shumë garën.
"Kemi raste kur Policia hyn brenda në stadiume, sikurse kemi raste kur Policia nuk hyn brenda në stadiume. Kjo do të thotë që interpretimi i ligjit bëhet në mënyrë selektive. Do të ishte e mira që të merrej një vendim i prerë: Policia do të futet në stadiume ose të mos futet në stadiume. Ne si Federatë e kemi bërë kërkesën tonë që Policia duhet të jetë e pranishme në stadiume, por sic edhe e thashë, nëse e kanë interpretuar ligjin në këtë formë nuk duhet të jenë në stadiume, dhe jo në disa stadiume futen në disa jo."
Mungesa e Policisë në stadiume, me hyrjen në fuqi të ligjit të ri, ka sjellë probleme të mëdha financiare edhe për klubet që nuk kanë buxhete për të përballuar këto kosto.
"Po të marrim rastin e një klubi të vogël që financohet nga Bashkia respektive. Ne e dimë shumë mirë sesa janë buxhetet e një Bashkie të vogël, dhe ti shtosh edhe koston e pagesës së Policisë private në një ndeshje derbi të zonës ku do të duhet një numër i madh stjuartësh, është mbytëse dhe pa harruar faktin që ai qytet ose ajo zonë nuk i ka aq stjuart. Abuzohet më pas me kompanitë e stjuartëve nëpër rrethe ku marrin persona të punësuar nëpër bashki dhe i veshin jelekun e stjuartëve për të trreguar që ne kemi një numër të konsiderueshëm".
Federata nëpërmjet procesit të licensimit, ka arritur të rrisë
standartet e sigurisë nëpër stadiume, duke i kërkuar që të kenë kamera për të
monitoruar situatën.
"Pjesa më
e madhe e klubeve në Kategorinë Superiore dhe Kategorinë e Parë kanë kamera.
Ndoshta Policia ka kërkuar perfekten. Selman Stërmasi, Niko Dovana, stadiumi
Skëndërbeu, stadiumi Flamurtari kanë kamera, ashtu si edhe shumë stadiume të
tjera. Ne e dimë se çfarë gjëndje të vështirë financiare kanë klubet dhe
bashkitë. Sektori i Licensimeve pranë FSHF i ka vendosur çdo vit kushte klubeve
për ta përmirësuar infrastrukturën, dhe çdo vit ka ardhur duke u përmirësuar",
ka thënë ndër të tjera Ilir Shulku.