
Elbasani tashmë do të luajë në Kategorinë e Dytë duke nisur që nga viti i ardhshëm. Verdheblutë u mundën me rezultatin 2-0 nga Sopoti, sfidë që ishte përcaktuese për fatin e ekipit të Elbasanit. Një pikë i mbante në Kategorinë e Parë, megjithatë kjo nuk u arrit. Sot, ultrasit e kësaj skuadre janë të tronditur nga ky fakt, por ata janë të bindur se Elbasani do të ringrihet sërish. Për këtë "Tigrat verdheblu" i bëjnë thirrje ish-futbollistit të Tiranës dhe Partizanit, Fatmir Hysenbelliut për të blerë aksionet e ekipit të tyre të zemrës. Përmes një letre të hapur në faqen zyrtare në facebook, shkruanin:
"Rënia e Elbasanit në Kategorinë e Dytë është lajmi më i keq që mund të merrte qyteti i Elbasanit këto ditë. Humbja me Sopotin bëri që skuadra jonë të mos jetë më pjesë e futbollit profesionist dhe të degradojë të luajë në një kategori inferiore, për të mos thënë amatore.
Vetëm para 11 viteve kjo skuadër shpallej kampione e Superligës për herë të dytë në historinë e vet, në sezonin 2005-2006. Një klub që i dha leksione futbolli ekipeve të tjera pretendente, sidomos kryeqytetit, të cilët kishin krijuar mitin e pathyeshmërisë dhe se kampionati të ishte pronë e tyre. Elbasani u dha zemër edhe ekipeve të qyteteve të tjera për të besuar se ëndrrat mund të bëhen realitet.
Elbasani është një skuadër që e ka fituar dy herë titullin kampion dhe po kaq herë edhe Kupën e Shqipërisë, dy trofetë më të rëndësishëm të vendit, duke qenë historikisht një ekip tradite në Superiore dhe në ditët më të këqija diskutohej qëndrimi në elitë, jo rënia kaq poshtë, duke na turpëruar.
Megjithatë, historia nuk çbëhet, pavarësisht se ku është katandisur tani skuadra, për më tepër që nuk dihet se cilët janë pronarë të klubit. Na u tha se do vijnë pronarët e huaj anglezë dhe do të ndërtonin një ekip model. Në fakt, e ndërtuan ekipin “model”, për fat të keq jo për të marrë trofe apo qenë kompetitivë, por për të na rrënuar më keq se ç’ishim. Të paktën deri dje qëndronim në Kategorinë e Parë dhe herë pas here ngjiteshim në Superiore, ndërsa tani… Për fat të keq, ky vit do të na duket shumë i gjatë dhe ende nuk e besojmë se Elbasani do të duhet të luajë në futbollin amator.
Klubi ka nevojë për njerëz që e duan këtë skuadër dhe që kanë ndërmend të investojnë seriozisht, për ta ringritur edhe njëherë atje ku duhet. Dhe, nëse do të dalë dikush ta marrë përsipër këtë gjë, do të kenë gjithnjë në krah “zemrën” e kësaj skuadre, tifozerinë. Elbasani mund të bëhet, ndoshta më shpejt nga çmendohet.
Në një intervistë për mediat e huaja para pak kohësh, ish futbollisti i njohur, biznesmeni i suksesshëm, FATMIR HYSENBELLIU, pat deklaruar se do të dëshironte të investonte në një klub shqiptar. Ne si tifogrup “Tigrat Verdheblu” gjejmë rastin t’i bëjmë thirrje të gjejë mundësinë të blejë aksionet e KF Elbasanit, ndonëse flitet se tanimë ato i përkasin një kompanie të huaj. Pak rëndësi ka kjo, edhe nëse është kështu, sepse ndoshta mund të hyjë në negociata që këto aksione të shiten sërish.
I premtojmë se do të ketë gjithnjë në krahë “zemrën” e ekipit, tifozerinë, ku mjafton një ringritje e skuadrës dhe pamjet e stadiumeve të tejmbushura para 10 vitesh, nuk do të jenë më një kujtim i largët. Mjafton një “shkëndijë” dhe tifozët do të rikthehen në stadium. Në Elbasan do të gjeni infrastrukturën të ngritur dhe rruga për t’u ringritur aty ku i ka hije këtyre ngjyrave nuk do të jetë shumë e vështirë.
Ju jeni i vetmi që mund të na riktheni sërish besimin, duke qenë një ish futbollist shpresojmë se do ta merrni parasysh kërkesën tonë dhe të na riktheni sërish dëshirën për të përkrahur Elbasanin në shkallët e stadiumit. Ju më mire se kushdo e kuptoni se çfarë është futbolli për një tifozeri.
Ndaj, z. FATMIR HYSENBELLIU, nëse ekziston ende dëshira për të qenë pronar i një klubi shqiptar, ejani tek Elbasani. Të jeni i sigurt që i gjithë investimi që do të bëni do t’ju kthehet mbrapsht dhe do të keni mirënjohjen e një qyteti që jeton çdo ditë me futbollin. Ne mendojmë se Ju jeni i vetmi që mund të rindërtoni Elbasanin. Mos hezitoni! Ne po ju presim!
#FatmirMerElbasanin
TIGRAT VERDHEBLU, Maj 2017 !", përfundonin Ultrasit e Elbasanit.