
Të dashur miq, tashmë të gjithë e dimë se çfarë ka ndodhur, shtypi gjatë kësaj jave ka pasqyruar të vërteten, më pas ata që i “djeg” e vërteta u përpoqën të manipulojnë faktet dhe unë preferova ditën e sotme të prononcohem.
Përse vallë ditën e sotme? Sepse sot ishe ndeshja e radhës me ekipin e Kamzës dhe Kamza duhej të fitonte. Sot ishte shfaqja, maskarada ku urdhri politik duhej me patjetër të zbatohej.
Pasi më bën mua “kurban” dhe e lanë ekipin pa asnjë mbështetje, jo ekonomike – pasi kemi muaj të tërë pa paga – por pa mbështetje morale sot poshtëruan çdo matjan dhe çdo sportdashës! Sot kanosën lojtarët, trajnerët dhe përdhosën çdo vlerë që mbart ky sport aq i bukur.
Jam i indinjuar, i mërzitur dhe tepër i zhgënjyer sepse unë dhe ekipi i Burrelit nuk e kemi merituar këtë “masakër” që po ndodh!
Përpara se të pranoj ofertën për të lënë ekipin e Laçit dhe për t’u kthyer në Burrel për të ngritur ekipin i cili kish “humbur” rrugën, kam komunikuar qartë me zyrtarët e Bashkisë dhe i kam informuar se ekipi nuk bëhet pa vendosur kushtin e meritokracisë tek lojtarët. Pra, kush e meriton dhe gëzon formë të mirë do të aktivizohet! Ekipi nuk ndërtohet me lënie rezultatesh, por bëhet me punë dhe sakrificë. U kërkova minimumin, të jenë korrekt me pagat dhe do bëj gjithçka që ekipi i qytetit tim të arrij rezultate të shkëlqyera. U zotova që me një buxhet minimal do arrijmë mbijetesën dhe rezultate pozitive.
Unë e mbajta premtimin, pavarësisht vështirësive të pafundme me të cilat u përballa. Ekipi ka arritur rezultate të shkëlqyera dhe asnjë analist futbolli nuk mund të thotë të kundërtën. Ndërsa Bashkia nuk e mbajti premtimin nuk ka dhënë pagat prej muajsh, nuk ka mbështetur ekipin dhe tani vjen dhe bën “tutorin” dhe na kërkon shtrembërim rezultati duke abuzuar në mënyrë të turpshme.
Gjithçka filloi një javë më parë, në ndeshje e parë me ekipin e Kamzës ku kryetari i Bashkisë Burrel Z. Rizvani më kërkoi të lë ndeshjen dhe t’i hap portën ekipit kundërshtar. Cilën portë more zotëri? Atë të cilën familja Rama ka mbrojtur me dekada me radhë që prej brezit të vëllait tim Fatmir Rama dhe më pas me brezin tim? Cilën portë more të pafytyrë që nuk keni cipë dhe respekt për askënd. Aq e lehtë ju duket të hapet porta? Normal, është e lehtë persona që nuk kanë derdhur djersë, nuk jam munduar dhe nuk kanë kuptuar kurrë çdo të thotë të jesh sportist.
Në një periudhë ku atmosfera politike pritet të ndizet në prag zgjedhjesh “injorantët të veshur me pushtet” mendojnë që çdo gjë është mall që shitet dhe blihet. Gaboheni, vlerat nuk blihen dhe as nuk shiten. Sot duhet ta keni kuptuar qartë pasi dy trajnerët dhanë dorëheqjen, i gjithë stadiumi brohoriste kundra jush. Turp, t’ju vij turp për gjithçka keni shkaktuar.
Kastriot Rama