Teuta do të luajë sot në transfertë kundër Laçit në kuadër të javës së 18-të të Superiores. Në këtë transfertë të vështirë durrsakët do të tentojnë një rezultat pozitiv, megjithatë çdo gjë pritet të mësohet në orën 14:00 ku do të startojë edhe takimi mes kurbinasve dhe “Djemve të Detit”. Trajneri Gugash Magani duket që nuk do të humbë kohë, pasi mësohet që tekniku peqinas ka projektuar 2 goditjet e para në merkato.
Bëhet fjalë për ish-mbrojtësin Lukiç, i cili pritet të rikthehet në Durrës pas aventurës me Flamurtarin, por edhe mesfushorin e Korabit, Nderim Nexhipin për të cilin flitet që do të jetë përforcimi i mesfushës për durrsakët. Megjithatë deri më tani nuk ka asgjë konkrete. Orët e ardhshme pritet të sjellin të reja për sa i përket të ardhmes të dy futbollistëve.