
Shqipëria e Futsallit nuk do të mund të luajë ndeshjen ndaj Ukrainës në transfertë, e vlefshme për fazën e grupeve të Kampionatit Europian të Futbollit të Sallës. Kombëtarja kuqezi nuk do mundet dot të udhëtojë, për shkak të bllokimit të fluturimit nga vendi ynë. Kështu, ndeshja e programuar me datën 11 prill nuk do të luhet.
Përballja pritej të luhej në Pallatin e Sportit "Yunist", në Ukrainë. Kujtojmë që në ndeshjen e parë të luajtur në Shqipëri, ndeshja është mbyllur 3-10 për rivalët. Nga momenti në moment priten të reja të tjera, me Kombëtaren kuqezi që merr kështu lajmin e keq.
NJOFTIMI I FSHF:
Kombëtarja shqiptare e Futsallit nuk do ta zhvillojë ndeshjen e eliminatoreve të Europianit 2022 me Ukrainën, e programuar për t'u luajtur më 11 prill 2021 në Zaporizhia.
Zyra e shtypit në FSHF bën me dije se shkak për këtë ndryshim të programit është bërë bllokimi i fluturimeve në aeroportin ndërkombëtar "Nënë Tereza" të Tiranës. Kombëtarja duhet të ishte nisur që mëngjesin e së enjtes drejt Ukrainës, por e ka pasur të pamundur.Federata Shqiptare e Futbollit ka vënë menjëherë në dijeni ndërkohë UEFA-n për situatën e krijuar dhe për pamundësinë e udhëtimit.