
Enea Koliçi është një nga portierat më të mirë në Superligë. Portieri firmosi me Skënderbeun këtë sezon duke lënë Flamurtarin. Në një lidhje me “Fan Zone”, Koliçi foli për ditët e karantinës, skuadrën korçare dhe të ardhmen.
“Nuk kemi çfarë të bëjmë në këto kohë dhe duhet të respektojmë rregullat e vendosura nga Qeveria. Nuk e kam shumë problem të qendroj në shtëpi.
Është shumë e vështirë pasi nuk e dimë se kur do të mbaroj kjo situatë. Për stërvitjen jam me fat pasi kam shtëpi private dhe shfrytëzoj të gjitha hapësirat që kam. Stërvitja e portierit është specifike dhe nuk duhet që të bëjmë shumë afrime”.
Lëvizja të Skënderbeu? “Në fakt kam dy arsye që zgjodha Skënderbeun. Nga ana e organizimit është një nga arsyet, ndërsa e dyta është profesor Daja dhe trajneri i portierave Bozhiqi që për mua janë më të mirët në Shqipëri.
Këto dy fazat e para nuk kanë qenë të mira pasi nuk kishim shumë kohë për t’u përgatitur. Lojtarët e rinj nuk u ambientuan shumë në fillim, ndërsa tani kemi treguar që jemi në rritje. Kemi bërë shumë gabime sidomos në mbrojtje, por këtë e rregulluam me kalimin e kohës. Shpresoj që kur të fillojmë të jemi po njësoj siç e mbyllëm”.
E ardhmja? “Dëshira është të qendroj, por në fillim të shikojmë çfarë do ndodhë me gjyqin e ekipit. Nëse gjërat shkojnë ashtu siç na ka premtuar presidenti pse jo”.
Trajneri më I miri? “Kur kam filluar karrierën në Greqi kam pasur një trajner që më ka rritur për 9 vite. Në Shqipëri kam punuar me Jani Kaçi, por edhe me disa të tjerë”.