Korabi tashmë është i kompletuar. Janë siguruar financat, është siguruar stafi teknik, dhe së fundmi edhe gjashtë lojtarët e afruar ditën e djeshme. Ekipi dibran ka një plan serioz për të ardhmen e tij, dhe këtë po e tregon më së miri. Drejtori i klubit, Fehmi Mziu ka falënderuar të gjithë ata që po punojnë për ngritjen e këtij Korabi me synimin për të arritur sa më lart. Gjithashtu Mziu falënderon edhe lojtarët që ndihmuan në ngjitjen në Superiore sezonin e shkuar, pasi me përkushtim dhe pasion arritën ta sillnin Korabin mes më të mirave. Ai flet dhe për lojtarët e rinj që janë bashkuar skuadrës së Korabit duke i uruar suksese, por nuk harron të të theksojë që merkato do të vazhdojë. Dhe së fundmi ka një falënderim special për tifozët e tyre.
” Së pari dua të falenderoj Bashkine Peshkopi dhe donatorët Selim Rusi – Naim Agolli për mundësinë që më kanë dhënë mua që të jem pjesë e klubit në një post të rëndësishëm siç është ‘drejtori i klubit’. Jam çdo ditë në kontakte me donatorët dhe bashkinë të cilët janë të gatshëm të plotësojnë çdo kërkesë në favor të klubit. Falenderoj edhe kompaninë ‘Armafix Armierungen’ për sponsorizimin e veshjeve sportive që do të shoqërojnë ekipin në Superiore këtë sezon, si dhe ka ndihmuar në lidhjen e kontratës me stadiumin ‘Selman Stërmasi’ me vlerë monetare. Falenderoj edhe kompleksin ‘Eiba’, e cila do të mundësojë akomodimin e klubit në Peshkopi për fazën parapërgatitore ku përfshin Hotelin dhe Restorantin.
Së dyti dua të falënderoj lojtarët që ishin pjesë e Korabit, që ndihmuan në realizimin e ëndrrës shumë vjeçare për të dërguar Korabin në Superligë. Ato djem treguan seriozitet dhe profesionalizëm, gjë që bëri të arrijmë edhe ngjitjen historike në kategorinë më të lartë të futbollit në vend. Disa prej tyre vendosen të largoheshin, të cilëve u uroj fat dhe suksese, ndërsa disa të tjerë janë ende pjesë e klubit.
Së treti uroj dhe falënderoj lojtarët e rinj që i janë bashkuar Korabit në ditët e fundit. Janë lojtarë me eksperiencen e duhur ashtu siç i ka kërkuar edhe trajneri jonë i nderuar Artan Mërgjyshi. Besojmë shumë në këtë grup lojtarësh që kemi afruar deri tani, kështu që shpresoj që të na e shlyejnë këtë besim në fushën e blertë.
Merkato e Korabit nuk është mbyllur, jemi në kontakte me lojtarë shumë cilësor me të cilët po mbyllim edhe detajet e fundit të marrëveshjes, dhe shumë shpejt do t’i bëjmë publik emrat e tyre. Po testojmë edhe disa lojtarë që i kemi në prove ku trajneri do të vendosi nëse kanë potencialin e duhur për të qenë pjesë e Korabit.
Tifozeria – Kemi një tifozeri të mrekullueshme që ka qenë katalizatori kryesor në arritjet e klubit. Do të jetë e vështirë për ne të luajmë në Tiranë dhe pa pranine e tyre në disa ndeshje brenda. Por u sigurojmë atyre që do të japim maksimumin në fushë dhe Korabi ka për të qenë një surprizë në Superiore, për këtë te jenë të sigurt. Është një tifozeri model që çdo klub do ta donte, por ne kemi fatin ta kemi. Forca Korabi!”, shkruhet në deklaratën e drejtorit Fehmi Mziu.