
Trajneri i Saburtalos Lasha Nozadze ka folur në konferencën e zakonshme për shtyp, në prag të ndeshjes me Partizanin. Kujtojmë se të kuqtë përballen nesër në orën 18:00, në kuadër të turit të parë të Conference League. Ndeshja e parë luhet në Gjeorgji, ndërsa e kthimit 1 javë më vonë në “Air Albania”.
Trajneri gjeorgjian gjatë fjalës së tij la të kuptohet se e ka studiuar mirë Partizanin dhe skuadra që ka në përbërje është gati për këtë ndeshje. Më poshtë mund të lexoni një pjesë nga fjala e tij.
“Skuadra është si organizëm, gjithmonë duhet të përforcohet në çdo vend. Në këtë moment do luajmë me këtë përbërje, koha do tregojë pastaj pjesën tjetër. Ishim në negociata me 2 ukrainas, çdo gjë u arrit, por situata në Ukrainë krijoi probleme dhe nuk ishte e mundur që t’i kishim këto lojtarë. Jemi në bisedime me një gjeorgjian, do shohim çfarë do ndodhë.
Lojtarët që janë larguar nga Saburtalo së fundmi, ka ndodhur pas marrëveshjes nga të dyja palët, dua t’i falenderoj ata lojtarë dhe t’u uroj sukses në të ardhmen.
Sigurisht që është avantazh të kemi një nga lojtarët më të shpejt në Gjeorgji. Është avantazh që duhet ta përdorim. Çdo gjë do vendoset në fushë, por unë besoj te lojtarët e mi dhe shpresoj që të kemi sukses.
Ata janë fizikisht të fortë, një skuadër e përgatitur atletikisht. Krahasuar me sezonin e fundit, mendoj se do jetë skuadër tjetër sepse ka 9 lojtarë të rinj. Kishin fazën përgatitore në Slloveni, ku luajtën disa ndeshje dhe lanë gjurmë. Gjithsesi, ndeshjet zyrtare dhe miqësore nuk janë të njëjta. Do mundohemi të luajmë, të kontrollojmë topin dhe të krijojmë mundësi për sulmuesit”, u shpreh trajneri gjeorgjian.