
Trajneri i Teutës, Edi Martini dha një intervistë për Supersport. Ai foli për shumë tema, duke filluar që nga e shkuara, e deri te objektivat. Shkodrani pohoi se edhe arbitrat kanë ndikuar në rezultate.
"Kjo skuadër është e ndërtuar për titullin kampion. Në merkato do jemi shumë të kujdesshëm duke marrë lojtarë cilësorë. Të gjithë janë të bindur për këtë. Nuk jemi të kënaqur me këto paraqitje. Na janë humbur shumë pikë nga gabimet e arbitrave. Kjo është pjesë e futbollit. Neve me arbitrat nuk kemi pasur fat. Jemi me 65% ose 70% të mbajtjes së topit. Gjithmonë duhet edhe fati.
Me Skënderbeun na është mohuar një penallti e pastër. Nuk është e lehtë të marrësh një futbollist dhe të futet në fizionominë tënde. E do edhe ai kohën e vet, pasi Krasniqi e do topin pas shpine. U jam borxhli drejtuesve. E thjeshtë të thuash për të ndërruar vendin me Vllazninë, pasi janë të parët. Ne shumë shpejt do shkojmë ku e kemi menduar. Vllaznia po bën një sezon të mirë. I ka kaluar pritshëmritë, pasi aksush nuk e kishte menduar një gjë të tillë. Janë 66 pikë në lojë. Është e vështirë të thuash se kush do ia dalë " - tha Martini.