
Mëngjesin e 16 shkurtit, qyteti i Shkodrës u trondit nga lajmi se administratorit të Klubit të Vllaznisë, Suad Licit i ishte vendosur një sasi e konsiderueshme eksplozivi. Pakoja me eksploziv u gjet në shesh, poshtë makinës së administratorit të Vllaznisë, e cila supozohet se ka qenë si një mesazh kërcënues për Licin. Ngjarja ndodhi në ditën e themelimit të Vllaznisë duke lënë një njoll të zezë dhe e kaloi plotësisht në pjesë të dytë festën e klubit. Gazetari shkodran Senad Nikshiqi ka zbuluar më shumë nga ngjarja e ndodhur dhe situata me klubin e Vllaznisë dhe kërcënimet që kanë ardhur gjatë gjithë kohës. I ftuar në studion e "Procesit Sportiv", Nikshiqi deklaroi gjithashtu se në Shkodër ish trajner të Vllaznisë janë kërcënuar me mënyra të ndryshme.
Ngjarja e Suad Licit:
"Lici zbriti poshtë shtëpisë së tij dhe pa në orën 08:30 se kishte një sasi eksplozivi poshtë makinës. U konfirmua që ishte C4 dhe peshonte 100 gr jo 200 sa është thënë, sasi e mjaftueshme do të kishte shkaktuar dëme të mëdha përreth. Kapsolla ka qenë e larguar nga C4. Mendohet se ka qenë mesazh për ta trembur. Është një ngjarje e paralajmëruar. Lici nuk është përballur për herë të parë. Gjatë kohës që merrej me biznes nuk ka patur probleme. Këto probleme lidhen me sportin dhe me detyrën e tij. Kur ka nisur si administrator, merrte mesazhe me forma të ndryshme. I kanë shkuar dhe poshtë shtëpisë me armë. Shkodra normalisht është e trembur", tha gazetari shkodran Senad Nikshiqi.
Ngjarjet e mëparëshme:
"Armando Cungut i kanë hyrë në fushë me armë dhe dhomat e zhveshjes.
Ernest Gjokën kanë tentuar ta godasin me thikë. I fundit është Agim Canajt, I kanë vënë thonjtë në fyt. Ka ndërhyrje të elementëve kriminalë", u shpreh Nikshiqi.