
Burreli vazhdon të bëjë përforcime mjaft cilësore gjatë kësaj periudhe. Matjanët dëshirojnë që ekipi të luftojë për një vend në “Play-Off” dhe për këtë drejtuesit nuk po kursehen.
Lojtari i radhës që pritet të kalojë te Burreli është Valdrin Musolli. Ky i fundit luan si mesfushor i avancuar dhe do të shtojë kështu konkurencën në këtë repart. Sipas “Futbolli në Shqipëri” bëhet me dije se palët kanë arritur akordin mes tyre dhe në ditët e ardhshme pritet që gjithçka të konkretizohet.
20-vjeçari sezonin e fundit e mbylli me Podujevën, ku ia doli të shënonte 8 gola dhe të dhuronte dhe 2 asiste. Ndërkohë në të kaluarën ka luajtur edhe me Llapin. Kalimi te Burreli është aventura e parë në Shqipëri, ku Musolli do të synojë të lërë gjurmë.