Pogradeci do udhëtojë drejt Laçit për transfertën e rëndësishme e cila do të luhet të dielën, e vlefshme për javën e 31-të në Kategorinë e Parë.
Të motivuar në maksimum dhe me një ecuri të jashtëzakonshme fitoresh në javët e fundit, të besuarit e Emiljano Çelës shkojnë për t'i bërë ballë një rivali të drejtpërdrejtë për vendin e dytë, prej ku mund të vijë dhe "bileta" për një ngjitje automatike drejt Superiores.
Një ditë para këtij dueli, faqja zyrtare e klubit pogradecar ka zgjedhur t'i sfidojë kundërshtarët, duke i lënë të nënkuptojnë se në këtë transfertë, nuk do ta diskutojnë tre pikëshin.
"Në Laç nuk negociojmë, fitojmë dhe ngjitemi në elitë", shkruhet në postimin ku shihet dhe një fotografi e shkrepur nga stërvitja e fundit e skuadrës.
Ndeshja mes Laçit dhe Pogradecit do të nisë në orën 15:00.
