
Ndeshja Korabi – Luzi ka mbyllur javën e 30-të të Kategorisë së Parë. Dibranët ia kanë dalë të triumfojnë 5-1 ndaj kavaajasve, fitore kjo që u ka siguruar atyre pjesmarrjen në “Play-Off”.
Në këtë mënyrë janë mësuar edhe 6 skuadrat që e mbyllin këtë sezon në pjesën e sipërme të klasifikimit. Kështu Elbasani dhe Bylisi deri në fnd do të bëjnë mes tyre llogaritë për titullin kampion, ndërsa Flamurtari, Vora Apolonia dhe Korabi do të luajnë sfidat e “Play-Off” për Superioren.
Ndërkohë në 3 javët e mbetura do të jetë në garë e fortë për 4 ekipet që do të luftojnë mes tyre për të shmangur “Play-Out”. Aktualisht Lushnja ndodhet në vendin e 7-të me 34 pikë, ndërsa Kastrioti i ndjek me 1 pikë më pak.
Besa ndodhet në vendin e 9-të me 31 pikë, po aq sa Burreli i vendit të 10-të. Luzi në krahun tjetër ende nuk është dorëzuar, teksa synon të marrë maksimumin e pikëve në 3 sfidat e mbetura për të qenë minimalisht në “Play-Out’. Nga krahu tjetër Tomori prej javësh është zyrtarisht i rënë në Kategorinë e Dytë.
