Valbona mbylli një sezon mjaft pozitiv duke e mbyllur në vendin e parë në Grupit A të Kategorisë së Dytë. Në këtë mënyrë klubi i Valbonës arriti që të ngjitej në Kategorinë e Parë, por jo dhe aq të kënaqur pasi humbën finalen e madhe përballë Pogradecit.
Pikërisht për këtë sezon të ekipit tropojan por edhe humbjen në finalen e madhe, ka folur portieri dhe një nga liderët absolut në këtë sezon të Valbonës, Kadri Birja i cili në 23 ndeshje ka mbajtur të paprekur portën në 12 prej tyre. Në një intervistë të dhënë për “Newsport.al”, ky i fundit tregon edhe pikat e forta dhe të dobëta të ekipit dhe sigurisht vështirësitë që kanë kaluar përgjatë këtij sezoni.
Çfarë nuk shkoi në finalen ndaj Pogradecit?
Nuk mendoj se pati ndonjë gjë që nuk shkoi, ishte një finale prestigji. Gjatë gjithë javës së bashku me stafin jemi përgatitur shumë fort dhe bëmë një punë të mirë. Ndeshja nuk kishte dominues, por u vendos vetëm nga një episod. Ne patëm disa raste të cilat nuk i shfrytëzuam dot. Dhe nuk besoj se kishte diçka që shkoi keq.
Çfarë note i jepni sezonit tuaj si ekip, por edhe atij personal?
Për punën, disiplinën, sakrificën dhe mundin sigurisht që këtë sezon të Valbonës e vlerësoj me notën maksimale, notën 10. Djemtë dhe stafi i ekipit janë përkushtuar gjatë gjithë vitit për arritjen e objektivit, i cili ishte ngjitja në Kategorinë e Parë dhe ne ia dolëm. Përsa i përket aspektit personal ishte një vit i mirë, kam zhvilluar ndeshje pozitive dhe gjysmën prej tyre i kam mbyllur pa pësuar gol.
Valbona për ‘turizëm’ në Kategorinë e Parë apo me objektiva të qarta?
Vetë Kategoria e Parë nuk të lë vend për ‘turizëm’. Jam aktivizuar për shumë vite në këtë kategori dhe e njoh shumë mirë. Unë mendoj se me punën shumë të mirë të drejtorit dhe administratorit do jemi një kockë mjaft e fortë në Kategorinë e Parë, që nuk do të thyhemi lehtë.
A e shihni veten pjesë të Superiores, qoftë me Valbonën apo me ndonjë ekip tjetër?
Kontrata ime me ekipin e Valbonës ka përfunduar me mbylljen e sezonit. Oferta e parë që do të dëgjoj është pikërisht e Valbonës, e këtij ekipi dhe dëshira për të vazhduar bashkëpunimin është , me mirëkuptimin e të dyja palëve.
Cila mendoni se është pika e dobët dhe e fortë e kësaj Valbone?
Pika të forta kemi shumë, ku disa prej tyre janë harmonia që ne kemi si grup, harmona që karakterizon këtë ekip. Nuk është vetëm një grup, por është si një familje. Lojtarët me eksperiencë janë gjithashtu një nga pikat e forta dhe sigurisht mbështetja e tifozërisë në çdo ndeshje. Përsa i përket pikave të dobëta, çdo ekip e ka një të tillë. Por kjo ngelet brenda Valbonës dhe jo ta shfaqim tek ekipet e tjera.
Kujt ia dedikoni ngjitjen në Kategorinë e Parë?
Ngjitja në Kategorinë e Parë është një punë e madhe dhe e palodhur dhe nuk mund t’i dedikohet një personi, por disa elementeve si presidenti, drejtuesit, stafi, lojtarët dhe gjithë qytetit. Një punë e palodhur është edhe ajo çfarë ka bërë administratori, Sajmir Neza. Por kjo ngjitje nuk ka qenë e lehtë sepse kemi pasur dhe dy ekipe të tjera të forta në garë për titullin, gjithashtu duke pasur kundër dhe faktorë të jashtëm si pushtetet lokale.
Cilin portieri keni idhull dhe kë ndiqni më së shumti?
Idhull nuk kam, por një protier që më ka inspiruar gjithmonë ka qenë braziliani, ish-gardiani i Milanit, Nelson Dida. Ndërsa në ditët e sotme ky sport, pra futbolli ka evoluar dhe ka disa portierë që më pëlqejnë. Më së shumti ndjek Manuel Neuer dhe Alisson Becker të Liverpool. /Nikoll RAJTA/