Kapiteni i Teutës Renato Arapi është duke analizuar ecurinë e kampionatit pas javës së 14-të e cila përfundoi pikërisht me sfidën Teuta-Skënderbeu 1-0. Ndër të tjera Arapi tregoi dhe për situatën e krijuar nga tërmeti.
“Në ato ditë tmerri askush nuk ka menduar për sportin. Dhe ne që e kemi përjetuar u dorëzuam, por më e keqja ishte një ditë më pas kur kishte disa lëkundje të tjera dhe njerëzit ikën dhe brakstisën qytetin”, u shpreh fillimisht Arapi
Tirana-Kukësi:
“Kukësi ka patur një merkato shumë cilësore, po ashtu dhe Tirana, por problemi tek Tirana është pjesa mbrapa. Vetë Tirana në adn e saj nuk rri dot mbrapa. Besoj se në këtë moment që është Tirana duhet të jetë shumë e kujdesshme sidomos në pjesën mbrapa”, tha Arapi.
Kampionati:
“Buxhetet e klubeve kanë rënë. Kur ishte Skënderbeu në top-formë, kishte nivele më të mëdha. Një sulmues merrte 180 mijë euro në sezon. Kjo nuk ndodh shpesh, por tani ka rënë pjaca, pasi Skënderbeu nuk investon. Kjo ka bërë që në kampionat të mos ketë shumë diferenca”, tha Arapi.
Ndeshja ndaj Skënderbeut:
“Erdhi fitorja në momentin e duhur jo për lojën që kemi pasur, por për atë fatkeqësi që na kapi. Dua të falenderoj ato tifozë që erdhën për të na ndjekur nga shkallët e stadiumit. Përveç pjesës që do të ishin agresiv në fushë, Teuta dhe djemtë duhet ta fitonin këtë ndeshje për banorët e goditur nga tërmeti si në Durrës dhe Thumanë, pasi me futboll mund të kalojmë sa do pak atë shok që kishin kaluar. Lot ka pasur në dhomat e zhveshjeve, pasi trajneri nisi të bërtiste, ku na kërkonte të fitonim ndeshjen dhe t’i bënim një dhuratë atyre banorëve që kanë humbur shumë në këto ditë,” tha Arapi.