Renaldo Kalari është një nga lojtarët me më shumë derbi të kryeqytetit mbi supe dhe si i tillë ai është edhe një nga lojtarët me më shumë eksperiencë në sfida të tilla.
Mbrojtësi 32-vjeçar që fillimisht ka veshur fanellën e Tiranës në vitin 2003 dhe më pas është transferuar te Partizani 5 vjet më vonë ka bërë të njëjtën rrugë edhe 3 vjet më pas ku luajti 4 sezone si bardheblu ndërsa tashmë që prej 2015-ës është pjesë e të kuqve. Në intervistën dhënë për Supersport, ai e pranon se eksperienca e madhe e ka ndihmuar t’i përjetojë ndeshjet derbi me më pak emocion dhe thekson se objektivi i tij dhe i skuadrës nga kjo sfidë është që ta mbyllin me pikë të plota.
” Në fakt u bënë disa derbi që unë kam luajtur me statusin e Ish-it , nuk është se e ndjej sikurse ndeshjet e mëparshme që kam luajtur kundra ish skuadrës time. Në këtë moment jo vetëm për mua personalisht , por për të gjithë skuadrën rëndësi kanë pikët të cilat janë shumë të vlefshme në këtë fazë që ka arritur kampionati, dhe për objektivin që kemi ne si skuadër, më shumë se sa për arsyen që duhet fituar derbi apo për moralin që të jep”,u shpreh Kalari.
Pavarësisht pozitave në klasifikimin e përgjithshëm, dy skuadrat do të kërkojnë fitoren sepse në derbi nuk ka favoritë dhe Kalari kërkon ta nënvizojë një detaj të tillë.
” Në ndeshjet derbi nuk vlejnë shumë pozitat në klasifikim apo gjendja e skuadrës, sepse derbi të jep një emocion të veçantë të jep forcë nga brenda që çdo lojtar i nxjerr ato forcat e veta që ka, jep maksimumin në ndeshjet derbi , dhe nuk vlejnë as pozicioni as gjendja aktuale e skuadrës”, përfundoi ai.