Merkato e janarit po pritet me interes nga tifozët e Partizanit. Pikërisht për këtë foli drejtori i përgjithshëm Olsi Rama, i cili tregoi se po shihet që të afrohet një sulmues 9-tsh.
Gjithashtu zbuloi se Jasir Asani dhe Jurgen Bardhi janë dy futbollistët që i mungojnë shumë këtij ekipi. Megjithatë është i bindur se organika e këtij sezoni është më e mirë se e edicionit të shkuar.
“Ne po përqëndrohemi te gjetja e një lojtari që të jetë maja e sulmit. Nëse marrim një numër 9-tsh, Junior luan si sulmues i dytë ose në krah sepse e ka bërë gjatë gjithë karrierës së vet. Procesi është i tillë që i kërkon dhe të vijnë. Mund të vijë dhe një sulmues krahu apo një mesfushor.
Huazime të ish-ëve? Nuk përjashtoj asgjë sepse e tillë është merkato e janarit. Nëse gjen një lojtar që e njeh skuadrën, është padyshim vlerë e shtuar. E di unë më pyet për Bitrin apo me tjerë, unë mbaj kontakte me lojtarët. Janë pjesë e familjes së Partizanit. Janë futbollistë që i kam marrë vetë ose i kam gjetur aty. Të gjithë e kanë derën e hapur. Një lojtar si Asani të mungon gjithmonë. Është një lojtar që të zgjidh ndeshje të vështira. Arrin të shënojë me dy-tre lëvizje. Këtë vit na mungon. Ekipi i këtij viti është më i fortë se i vjetshmi, në letër gjithmonë. Ka ardhur Musta, Marku, të dy Markët, Kaçe, Damçevski, Sota etj. Bardhi për mua duhej të qëndronte në mesfushë. Kishte solucione edhe në sulm. Po shoh që këtë vit Murataj ka dalë në stol, Kote s’gjen dot minuta sepse ka shumë konkurrencë. Jam i sigurtë që këtë sezon asnjëri nga këta që kemi s’ka dhënë më të mirë. As Musta që ka luajtur më shumë se të gjithë. Jemi përmirësuar. Po i japim mundësi Carës, ishim të bindur që do të luante. Por, ka dhe situata që Cardoso dëmtohet.
Oferta? Ka pasur vetëm një ofertë për Jasir Asanin për 30 mijë euro. E kam marrë dhe kam biseduar me të. S’e lashë të shkonte të luante 4 muaj në Kuvajt në Kategori të Dytë. Më tha: “Po drejtor ke të drejtë”, tha ai në emisionin “Skaner”.