
Sokol Jareci ishte i ftuar mbrëmë në emisionin "Rubrika Sportive" në TVSH. Jareci analizoi rastet e diskutueshme për javën e 31-të të Superiores. Ndër të tjera ai u ndal në ndeshjen Kukësi - Laçi që përfundoi me rezultatin 2-1 në favor të verilindorëve. Ish-gjyqtari i njohur i Superiores deklaroi se lojtari Besar Musolli kishte qenë në fillim për karton të verdhë, të padhënë nga kryesori Meta dhe më pas për të kuq direkt pasi kishte goditur me qëllim kundërshtarin në fytyrë.
"Mendoj se në këtë ndeshje ka pasur disa raste të diskutueshme. Ndalemi te lojtari Besar Musolli i cili fillimisht tërheq nga fanela futbollistin e Laçit, por Meta nuk jep karton të verdhë që në fakt duhej të jepej. Më pas shikojmë rastin tjetër të po këtij lojtari të Kukësit, i cili godet me bërryl në fytyrë me qëllim kundërshtarin e tij. Në këtë rast mungon në mënyrë flagrante kartoni i kuq", përfundoi Sokol Jareci.