De Biasi do të jetë tre ditë mik në Itali, ku është ftuar nga disa prej trajnerëve të ekipeve italiane për të ndjekur nga afër procesin e stërvitjeve që zhvillojnë ekipet italiane këto ditë. Sot, ai ka qenë i ftuar nga Marco Giampaolo, trajneri i Sampdorias për të parë ekipin nga afër gjatë seancës stërvitore që është zhvilluar në qendrën sportive “Gloriano Mugnaini”.
Trajneri i Kombëtares ka dhënë një intervistë për mediet italiane, ku treguar eksperiencën e tij në Itali.
“Jam i ftuar nga Marco të ndjek 3-4 nga seancat stërvitore të ekipit. Është një trajner i madh dhe me shumë cilësi. Ai po bën një punë të mirë me ekipin. Ka ndërtuar një skuadër që ka taktikë dhe ekuilibër. Në ekip ka 3-4 lojtarë që nuk i njihja mirë dhe që ka ditur ti shfrytëzojë, duke u dhënë mundësi të ndihmojnë ekipin. Kam pak kohë në dispozicion për të parë nga afër si veprohet këtu, do t’i shfrytëzoj në maksimum këto ditë për të fituar diçka të re”.
Ai ka folur dhe për kombëtaren dhe planet që tekniku italian ka për të ardhmen.
“Me Kombëtaren besoj në kam arritur majën, sepse nuk besoj se ekipi mund të bëjë më shumë se kaq edhe pse një fjalë e urtë thotë “kurrë mos thuaj kurrë”. Ecuria e mirë që kemi pasur na ka bërë që të punojmë më shumë, duke mos u ndalur me kaq. Nëse punojmë në grup dhe ndihmojmë njëri-tjetrit, mund t’ia dalim edhe këtë herë”.