Prej një jave, skuadra e Kamzës ka nisur përgatitjet dimërore. Deri tani janë afruar katër futbollistë të rinj: portieri Daniel Lamellari, sulmuesi Enco Malindi, mbrojtësi Nertil Hoxha dhe mesfushori japonez Roy Kato.
Në një inervistë për newsport.al, trajneri i Kamzës, Bledar Devolli pranon se të katërt futbollistët e mësipërm pritet të firmosin me klubin, duke i konsideruar ata, të rëndësishëm për skuadrën e tij.
Numri 1 i stolit të kamzalinjve pranon se do të ketë edhe 3-4 largime, por sipas trajnerit gjirokastrit është ende shpejt për të vendosur mbi “firot” që pritet të ndodhin gjatë kësaj merkatoje dimri.
-Si po shkojnë përgatitjet e skuadrës gjatë kësaj periudhe?
-Kemi rreth një javë që kemi startuar me seancat stërvitore. I gjithë grupi i ekipit është i gatshëm me përjashtim të mbrojtësit brazilian, Leo Lelis që presim të na bashkohet gjatë këtyre ditëve. Deri tani jam i kënaqur nga impenjimi i futbollistëve në këto ditë të para të përgatitjeve dimërore.
-Deri tani te Kamza janë afruar, Lamellari, Malindi, Hoxhaj dhe Kato. Do të qëndrojnë të katërt, apo do të jenë në periudhë prove?
-Mendoj se do të firmosin, sepse janë futbollistë të vlefshëm për ekipin tonë dhe besoj shumë se do të na ndihmojnë në pjesën e dytë të sezonit për të arritur objektivin tonë.
-Do të ketë largime gjatë kësaj merkatoje?
-Kemi një muaj kohë për të vendosur dhe për të vlerësuar më mirë çdo vendim që do të marrim. Kam përshtypjen se do të ketë 3-4 largime, por ende nuk ka asgjë konkrete dhe është pak herët për të thënë se cilët futbollistë do të largohen nga Kamza.
-Do të vazhdojë merkatoja për Kamzën apo e ndjeni se nuk ka më nevojë për përforcime?
-Të them të drejtën skuadra është e plotësuar në çdo repart. Por nuk i dihet se çfarë do të ndodhë gjatë ditëve në vazhdim. Nëse do të jetë ndonjë lojtar që na intereson dhe që nuk mund t’i themi “jo” për cilësitë që do të zotërojë, sigurisht që do ta afrojmë.
-Çfarë prisni nga pjesa e dytë e sezonit?
-Shpresoj të vazhdojmë me të njëjtin ritëm si në pjesën e parë të kampionatit, ku morëm 12 fitore dhe pësuam vetëm një humbje, atë ndaj Erzenit në Shikaj. Nuk do kërkoja më shumë se kaq, sepse nëse do të përsëritnim sërish këtë ecuri, mendoj se do të arrinim Superligën.