Akademia e Partizanit, është një nga ato akademi që prodhon mjaftueshëm talente, të cilët militojnë në shumë ekipe në kampionatet shqiptare. Një prej tyre është dhe Gresild Lika, i rritur në kampin e kuq, ai momentalisht militon tek Korabi, ekip i Kategorisë së Parë. Sezonin e shkuar, ai ka qenë dhe pjesë e Dinamos, ekipit tjetër legjendar të kryeqytetit.
Në një intervsitë për newsport.al, Lika është rrëfyer për skuadrën e Korabit, sezonin që ekipi po bën deri më tani si dhe objektivat që ka. Gjithashtu nuk mund të mungonin, pyetjet për Partizanin e tij të dashur apo modeli i tij që bazohet.
Intervista e plotë:
– Lika, ju jeni një nga lojtarët bazë të ekipit të Korabit, si po shkon aventura juaj tek ky ekip.
Ndihem shumë mirë tek Korabi, është një ambient mjaft i qetë dhe nuk kemi presionin e rezultateve. Objektivi jone parësor është 5-ja e parë. Duke parë gjendjen e ekipit jam plotësisht i bindur që do e arrijmë. Kemi besim si grup dhe do e bëjmë.
-Para se t’i bashkoheshit Korabit, ju ishit në pronësinë e Partizanit, por keni luajtur dhe tek Dinamo. Si iu duket pjesa që po luani larg kryeqytetit?
Po, është e vërtetë, deri pak para muajsh kam qenë duke luajtur në kryeqytet për dy ekipe të mëdha. Por, aventurat në ekipe të tjera, janë shumë të nevojshme, pasi të pjekin profesionalisht duke pasur më shumë minuta në këmbë.
-Forma juaj paraqitet mjaft e mirë dhe dukeni si një titullar i pazëvendësueshëm, tek skuadra juaj. A keni oferta nga ekipe të tjera ?
Në radhë të parë dua të falenderoj trajnerin tim, Dorjan Bubeqi si dhe stafin e Korabit për besimin që kanë pasur tek unë. Besoj se po ia shpërblejë nga ndeshja në ndeshje.
Kam disa oferta nga ekipe të Kategorisë së Parë edhe Superliga, por për momentin jam lojtar i Korabit dhe do vazhdoj të bëj më të mirën për këte ekip.
-Nëse do të vinte një ofertë nga ndonjë klub i Superligës, a do e mendonit një largim nga ekipi aktual?
Sigurisht që është shumë vështirë t’i thuash jo një ekipi Superligë, por kjo gjë i takon menaxherit tim si dhe presidencës së Korabit, pasi jam në kontratë me këtë klub.
-Çdo lojtar ka një model frymëzimi në punën që bën, për ju kush është?
Unë jam tifoz me Real Madrid-in, ndersa lojtari që unë frymëzohem është Cristiano Ronaldo, e kam idhull atë që në fëmijëri. Madje edhe tani që shkoi tek Juventus është më i preferuari.
-Si e komentoni deri tani ecurinë e Partizanit në kampionat, si një lojtar i rritur në kampin e kuq?
Për mendimin tim, ky është viti i Partizanit dhe kam besim të plotë që do ia dalin të sjellin titullin në kryeqytet./ Marsel Alliaj/