
Mesfushori i Barcelonës Ivan Rakitic mund t'i bashkohet Interit sezonin e ardhshëm. Media e njohur sportive italiane "Gazzetta dello Sport" raporton se 30-vjeçari kroat ka kërkuar largimin nga klubi katalanas në përfundim të këtij sezoni duke iu vetëofruar Interit.
Zikaltërit nuk do të ishin kundër një blerjeje të tillë, duke parë se Rakitic ka grumbulluar suksese të mëdha në karrierë: katër kampionate, 1 Europa League, 1 Champions League dhe vendin e dytë në Kupën e Botës "Rusi 2018".
Kontrata e lojtarit skadon në 2021, por nëse ai nuk rinovon brenda këtij sezoni, kjo situatë mund të shfrytëzohet nga Interi, që kërkon medoemos një organizator të lojës, faktor që i mungon. Megjithatë, dëshira më e madhe e zikaltërve mbetet bashkëpatrioti i Rakitic dhe ylli i Real Madridit Luka Modric.