
Partizani ia doli të merrte një fitore me shumë vlera kundër Apolonisë në "Elbasan Arena". Të kuqtë e Ilir Dajës triumfuan minimalisht 1-0 ndaj fierakëve, në një takim që dominuan 90 minuta. Megjithatë Apolonia ia bëri mjaft të vështirë shënimin e golit duke u bërë mur në prapavijë.
Pas takimit ka folur trajneri Ilir Daja, i cili e tha hapur se skuadra e tij e meritoi fitoren. Në prononcimin e zakonshëm për mediet, tekniku kryeqytetas deklaroi:
"Duket fitore e vuajtur, por nuk ishte aq e vuajtur duke parë rastet para portës kundërshtare. Shtuam në maksimum presionin. Prisnim nga momenti në moment për të shënuar. Natyrshëm që goli mund të shënohet në minutën e 75 apo 85. Ekipi rrezikoi gjithçka, shkoi në 1/3 e sulmit. Nga momenti në momenti prisnim të shkonim te goli, që na dha qetësi.
Kreu? Ne kemi qenë gjithë kohën aty. Asnjëherë s'kemi qenë në vend të parë vetëm, kemi qëndruar 1-2 pikë larg, kjo do të thotë që kemi qenë prezent aty. Nuk do të thotë gje që jemi vetëm në krye.
Sulmi? Ne kemi qenë gjithë kohën me 5 sulmues. Kemi përdorur gjithë potencialin tonë të sulmit. Kemi krijuar. Ka një gjë që duhet të theksojmë. Nëse ekipet mbrohen në krah, duhet të gjejmë një zgjidhje tjetër. Por, kemi ditur të penetrojmë edhe në atë mbrojtje të ngjeshur.
Ana psikologjike? Kjo është pjesë e futbollit. E rëndësishme është të krijojmë raste. Mos të harrojmë që kemi bërë 3 ndeshje për 1 javë. Edhe freskia fizike ndikon. Kemi bërë gjithçka për ta fituar lojën. Mundet të kishim shënuar më parë. Mund të kishim një qetësi më të madhe për të shkuar në një fitore me shumë gola. E merituam, luajtëm, prodhuam, krijuam shumë situata dhe morëm 3 pikëshin mjaft të rëndësishëm në këto javë të fundit.
Frika nga barazimi? Futbolli është lojë situatash që do të thotë se ashtu siç mund të presësh ndonjë veprim negativ, ashtu mund të ndodhë edhe në fund. Ashtu si po luanim nuk kishim atë tension të fazës së dytë. Patëm 2-3 minuta që nisëm të luanim me topa të gjatë, diçka që ne nuk e bëjmë. Filluam më pas të kontrollonim. Po prisnim të shënonim edhe golin e dytë, pasi rastet u krijuan. Megjithatë në futboll ndodh që të dënohesh në futboll. Megjithatë ashtu si po luanim, nuk është se kishim ndonjë tension të madh", tha ai.