Skandali për mos lejimin e kryerjes së stërvitjes në sallën olimpike "Feti Borova" të ekipit Kombëtar të basketbollit për meshkuj, vazhdon të thellohet dhe mos të marri një përgjigje nga instancat më të larta qeverisëse. Të mbetur në udhëkryq dhe pa një ambient për tu stërvitur, Kombëtares së basktebollit i janë hapur dyert e një tjetër salle stërvitore, ajo e "Goga Sports Centre".
Akademia Sportive Goga Basket, ka lajmëruar se salla stërvitore e tyre është funksionale dhe për lojtarët e kombëtares së basketbollit, duke bërë "detyrën" si sportdashës dhe tifozë të Kombëtares. Ekipi kuqezi është duke zhvilluar ndeshjet për "EuroBasket 2021" dhe kjo situatë aspak normale, nuk i ka ndihmuar lojtarët kuqezi për të bërë më mirë në këtë kompeticion.
Lajmin për kryerjen e stërvitjes në ambientet e Goga Sport Center, e kanë bërë të ditur vetë klubi me një postim në facebook.
"Goga Sports Centre hap dyert pa pagesë të pallatit të Sportit Dhimitraq Goga për lojtarët e ekipit të Kombëtares Shqiptare të Basketbollit.
Suksese djemve të Kombëtares!", ka qenë postimi i Goga Basket.
