
Kastrioti do të ketë një ndeshje të vështirë ndaj Tiranës në javën e 25-të të Kategorisë Superiore. Skuadra krutane ka marrë miratimin e FSHF-së për luajtur takimin ndaj bardhebluve në stadiumin "Redi Maloku". Në një intervistë për "RTSH Sport" ka folur dhe lojtari i talentuar, Patrik Bardhi. I huazuar nga Tirana te Kastrioti, Bardhi është shprehur se skuadra e tij do të bëjë maksimumin për të arritur të fitorja.
ECURIA - "Është e vërtetë, kemi një ecuri shumë të mirë në vitin 2019. Të shpresojmë që do të vazhdojmë kështu. Kemi një ndeshje shumë të vështirë kundër Tiranës, jemi stërvitur maksimalisht dhe e kemi vlerësuar shumë".
TIRANA - "Tirana është një kundërshtar i fortë dhe do të jetë një ndeshje pa favoritë. Shpresoj të shënoj, por kjo nuk është kryesorja. Do të bëj çfarë të jetë e mundur që të ndihmoj skuadrën, që të marrim tri pikët".
STADIUMI - "Fakti që do të luajmë në stadiumin tonë është një lajm i mirë për ne, pasi do të kemi pas vetes tifozët. Është një fushë që dhe ne lojtarët e njohim mirë, kemi bërë ndeshje shumë të mira dhe shpresoj që dhe këtë ndeshje ta kalojmë me sukses", përfundoi Bardhi.