
Burreli u mposht në shtëpi nga Korabi me rezultatin 1-0, ndërsa ashpër ka reaguar Samuel Nikaj. Trajneri i matianëve ishte i dorëzuar teksa tregoi menjëherë pas takimit se do të jepte dorëheqjen.
Ai ka bërë me dije se do t'i kërkojë kryebashkiakut dorëheqjen duke qenë se e sheh situatën si të pashpresë. Në fjalën e tij për mediet, ai deklaroi:
""Futbolli ka degraduar, ta shpif ky kampionat në këtë mënyrë se sip o bëhet. Që kur u caktua ky gjyqtar u demotivuam. Mbase Burrelin nuk e do FSHF, mbase edhe ekipet e Superligës u duket larg. Arbitri na masakroi edhe pse djemtë kanë dhënë shumë në fushë këtë kampionat.
E pësoi Lushnja vjet, por duket se po e pësojmë ne këtë vit. Kemi qenë ekipi që kemi dominuar dhe gjyqtari që e menaxhoi ndeshjen siç edhe donte, na kanë mohuar 2-3 penallti. Në futboll edhe ndëshkohesh, por duket se ndeshjet po vendosen nga lartë.
Në tri ndeshje direkte jemi goditur nga gjyqtarët. Edhe me Dinamon edhe në dy ndeshjet me Korabin arbitrat s'e duan Burrelin, janë ata që nuk na duan edhe pse po investohen shumë.
E ardhmja? Do flas me kryebashkiakun, unë jam dorëzuar për vete dhe më vjen keq. Personalisht e shoh të pashpresë situatën, do të flas me kryebashkiakun, sepse ai ka investuar shumë. Ka skenarë, unë kam një jetë në sport, është një deklaratë e mirëmenduar dhe jam shumë i qetë", ka thënë Samuel Nikaj pas ndeshjes me Korabin.