
Laçi u mposht dje 1-4 në “Elbasan Arena” nga moldavët e Petroclub, duke bërë që të largohen nga Conference League në turin e dytë. Avantazhi i Mazrekaj në pjesën e parë dhe dominimi në 45 minuta nuk ka qenë i njëjtë në pjesën e dytë, me trajnerin Shpëtim Duro që pranon se të tijtë u shpërfytyruan në pjesën e dytë. Duro shton se e dinte që do pësonin, për mënyrën si po luhej por s’mund të ndërhynte pasi nuk kishte alternativa.
“Nuk kam fjalë të them, sidomos pas pjesës së parë. Kishim mundësi ta çonim ndeshjen në 2-0. Pas goli të barazimit e shikoja që skuadra ishte e dorëzuar totalisht. Nuk kisha ku të vija dorë, me përjashtim të ndonjë lojtari që duhet marrë shembull si Mazrekaj, ka luajtur gjithë ndeshjen. Pjesa tjetër e skuadrës ishte totalisht jashtë loje.
Golat, unë e kuptova që do vinin për mënyrën si po luante skuadra. Adeleke kishte mundësi ta çonte ndeshjen në 2-0, u tregua individualist, këto gjëra përcaktojnë lojën.
Ka qenë fitore totalisht e merituar e kundërshtarit, në 30 minutat e fundit ishim jashtë çdo parametri. Mesfushë nuk kishte, sigurisht kemi edhe mungesa. Ishte një humbje e turpshme”, tha Duro.