Ernest Gjoka nuk kërkon asnjë lloj shpërqëndrimi. Trajneri i Kukësit lë mënjanë cështjet jashtë fushe që kanë përfshirë klubin verilindor duke u fokusuar 100% vetëm te dueli i rradhës ndaj Korabit. Një sfidë e lehtë në letër, por sipas Gjokës pa kaluar me sukses takimin ndaj skuadrës dibrane, Kukësi nuk do të mendojë aspak për Skënderbeun, edhe pse ndaj korcarëve mund të vendosen fatet e titullit kampion. Përballë Korabit, priten disa ndryshime por pjesa e madhe e futbollistëve titullarë do të zbresin rregullisht në fushë.
Pavarësisht barazimit ndaj Lacit, Gjoka nuk përjashton kurrësesi, Partizanin nga gara për titullin, ndërsa do të ishte plotësisht dakort nëse sfida mes Kukësit dhe Skënderbeut do të gjykohej nga një treshe arbitrash të huaj ashtu sic ndodhi në duelin ndaj të kuqëve.
Kukësit do ti mjaftonin 7 pikë në 3 ndeshjet e fundit për të fituar zyrtarisht titullin e parë në historinë e klubit, por trajneri kryeqytetas i verilindorëve nuk preferon të flasë me përqindje për shanset që ka skuadra e tij për të arritur objektivin sezonal.