
Tirana mori një fitore të rëndësishme 1-0 në shtëpi ndaj Kastriotit. Në këtë takim nuk mungoi as tensioni pasi drejtuesit e Kastriotit kishin pretendime për golin e pësuar pasi lojtarët bardheblu nuk respektuan "Fair Play". I ftuar në emisionin "Rubrika Sportive", trajneri i Tiranës, Orges Shehi u ka kthyer përgjigje krutanëve, ndërsa foli edhe për ndeshjet e fundit të këtij sezoni.
Cale? Që pas ndeshjes me Vllazninë, në të cilën ka sakrifikuar. Pas ndeshjes me Teutën pësoi dëmtim, me Vllazninë, plus dëmtimit të gjurit iu shtua dhe ai i shpatullës. E kemi aktivizuar shumë pak minuta në Ballsh, duke menduar se mund të na nxirrte nga situata ku ishim. Sigurisht që mungesa e Kale na penalizon shumë, por kishim mungesë edhe Çelhakën. Kale është stërvitur me grupin që nuk luajti, do e diskutoj me stafin nëse do të jetë për ndeshjen derbi, do e nisë nga minuta e parë apo nga stoli. E rëndësishme është që u rikthye në stërvitje"
"Danso? Ka qenë pjesë e ekipit. Kur kam marrë skuadrën, ka qenë pjesë për tu futur në formacion, por më pas ka patur dhe pezullime, për mënyrën se si e mendonte të ishte pjesë e skuadrës, gjë që binte ndesh me mendimet e mia. Gjithsesi, ka dy javë është pjesë e grupit, e kemi aktivizuar kur kemi patur nevojë, si me Vllazninë, ashtu dhe me Kastriotin. Është një lojtar që bën pjesë në planet tona, mund të na dihmojë nëse është 100% i përqëndruar dhe i fokusuar se si funksionon një lojë futbolli".
"Në letër skuadrat duken të lehta, por në fushë bëhen të vështira. Janë skuadra që të rrinë gjithë kohën në mbrojtje, ndërsa me Teutën, Laçin dhe Vllazninë, mendoj që kemi shfrytëzuar maksimalisht rastet, pavarësisht se nuk kemi patur shumë, si me Bylisin apo me Kukësin. Ndeshjet me skuadrat e konsideruara të lehta na kanë penalizuar, sepse i llogarisim pikë më shumë. Megjithatë, skuadra ka 12 javë që ka vetëm një humbje, me Partizanin, pra ka krijuar stabilitet, futet në çdo ndeshje për të fituar, për të qënë dominuese. Do të donim të kishim katër pikë më shumë, por futbolli i tillë është. Kemi qënë shumë pikë larg, kemi rikuperuar, të mos harrojmë se dhe kundërshtarët që janë përpara, janë shumë të fortë".
"Derbi? Do e presim me qetësi dhe besim, sepse është një ndeshje futbolli dhe i ka të trija rezultatet brenda. Një derbi në fillim të kampionatit ka shumë ndikim në ecurinë e skuadrës, ndërsa tani, kur pas kësaj sfide ngelen dhe tri javë, ka ndikim sidomos për pikë por dhe anën psikologjike. Një fitore në derbi kënaq tifozërinë, por gjithashtu na afon shumë me objektivat".
"Nuk besoj se ka njeri që është aq mirë në llogari, që të bëjë llogaritë e këtij kampionati. Është një kampionat shumë i çuditshëm, skuadrat janë shumë afër me njëra tjetrën, dhe besoj se dhe matematicieni më i mirë nuk do jetë në gjendje të jetë i saktë. Skuadrat do të ndërrojnë përsëri vendet, sidomos në këto dy javë që janë përcaktuese".
Ndeshja me Kastriotin - "Këto janë ndeshje që kundarshtarët vijnë për tu mbrojtur. Jemi në fund dhe asnjë skuadër nuk do të lëshojë pikë, janë shumë të çmuara, sigurisht që kjo prodhon dhe vështirësi në gjetjen e hapësirave, sidomos për ne që duam të sulmojmë dhe të jemi protagonist e të fitojmë ndeshjen. Aq më tepër kur është dhe një ndeshje e tensionuar, kjo i bën lojtarët të mos jenë të qetë. Kur nuk je i qetë, atëherë është shumë e vështirë që ta interpretosh atë që ke në kokë. Lojë me dyluftime, efektive shumë pak, kjo bëri që të ishim gjatë gjithë kohës në tension. Sidomos në pjesë e dytë, ku disa situate nuk i kemi zgjidhur mirë".
"E kam thënë edhe pas ndeshjes, ne jemi fair play më shumë se çduhet. Në çdo moment ne kemi qënë ata që kemi nxjerrë topin jashtë. Dhe në momentin që lojën duhet ta ndalte arbitri, e kemi bërë ne. Në momentin e golit, nuk ishte rasti për fair play. Acarimi mendoj se ishte i tepërt, sepse nuk kishte vend për ta nxjerrë topin jashtë. Ai lojtar që ishte në tokë, edhe po të ishte në këmbë, atje ku shkoi topi, nuk do të merrte pjesë në aksion".
"Më vjen mirë që e zgjidhëm ndeshjen, sepse pikët në këtë fazë të kampioatit janë shumë të rëndësishme. Duke marrë në konsideratë dhe distancën me kundërshtarët, nuk mund të gabojmë, sepse një herë të gabojmë, atëherë jemi shumë larg të tjerëve", u shpreh Shehi.