
Futbolli në Shqipëri do të rikthehet sot pas afro 3 muajsh, ndërsa dje futbollisti i Bylis, Eridion Qardaku u konfirmua pozitiv me Covid-19, duke vënë në dyshim sfidën e sotme ndaj Tiranës. Në testet e fundit, asnjë lojtar tjetër i Bylis nuk rezultoi pozitiv, ndërsa dje Apolonia ka pezulluar stërvitjen e pasdites.
Fierakët përpara një javë zhvilluan testin miqësor ndaj ballshiotëve, me Qardakun që ishte një nga protagonistët kryesor në fushë, në fitoren 0-3 të të tijve. Lajmi se lojtari rezultoi i infektuar pavarësisht se është asimptomatik, shkaktoi zhurmë edhe në Fier, me stërvitjen e pasdites që u anulua te bardhjeshilët.
Edhe pse e programuar, lojtarët kanë zhvilluar vetëm seancën e paradites, në pritje të lajmeve të reja për situatën. Tanimë që asnjë lojtar tjetër i Bylis nuk është i prekur nga coronavirusi, në Fier mund të jenë të qetë duke iu rikthyer përgatitjeve për në fundjavë, në ndeshjet e Kategorisë së Parë.