
Federata e Futbollit ka mbledhur në Kavajë sot mbi 50 fëmijë të familjeve të prekura nga tërmeti dhe ka organizuar një festë për ta, duke nisur një seri aktivitetesh të këtij lloji. #FSHF mori vendimin për të anulluar të gjitha festat tradicionale të saj me rastin e fundvitit dhe vendosi gjithashtu që këto buxhete të shkojnë për fëmijët e familjeve të prekura nga tërmeti.
Punonjës dhe drejtues të federatës, si dhe anëtarë të stafit teknik të Kombëtares, Ervin Bulku dhe Ilir #Bozhiqi, u takuan me vogëlushët dhe ju shpërndanë dhurata në një atmosferë festive enkas për ta. Zv/trajneri i ekipit kombëtar, Ervin #Bulku, u shpreh se Federata e Futbollit dhe përfaqësuesja jonë, nuk mund të festojnë ndërkohë që qytetarët tanë vuajnë pasojat e tërmetit të tmerrshëm.
"Për këtë arsye ne sollëm sot dhe do vijojmë të sjellim festë, argëtim dhe gëzim për fëmijët e dashur. Ne jemi një skuadër me të gjithë shqiptarët dhe do qëndrojmë pranë tyre", tha ndër të tjera Bulku.
Këto aktivitete me rastin e festave të fundvitit, vijnë në vazhdën e aktiviteteve ndihmuese të FSHF dhe djemve të ekipit kombëtar për qytetarët e prekur nga tërmeti. FSHF gjithashtu ka nisur punën për evidentimin e tre shtëpive të rrënuara dhe më tej rindërtimin e tyre të plotë.