
Kukësi do të përballet me Dinamon në Elbasan Arena të mërkurën me fillim nga ora 16.45, në kuadër të javës së 16-të të Abissnet Superiore. Verilindorët kanë mbyllur të gjitha përgatitjet për këtë takim, teksa sot është zhvilluar seanca e fundit stërvitore në Durrës, në Olympic Parc. Gjendja e lojtarëve është e mirë dhe ekipi është gati për 90 minutëshin me kryeqytetasit.
"Skuadra ka mbyllur sot përgatitjet në prag të ndeshjes ndaj Dinamos, e cila është planifikuar të luhet ditën e nesërme në stadiumin "Elbasan Arena" duke nisur nga ora 16:44. Ekipi ka zhvilluar seancën e fundit stërvitore në kompleksin "Olympic Park" në Durrës, teksa pasdite do të grumbullohet për ndeshjen e javës së 16 të Superiores. Me përjashtim të Emiljano Mustës i cili ka plotësuar numrin e kartonëve, pjesa tjetër e skuadrës është e plotë dhe fatmirësisht, janë negativizuar të gjithë të prekurit nga COVID 19" - shkruan klubi.
Ekipi i drejtuar nga Longo po bën një kampionat të mirë, ku pas 15 ndeshjesh kanë grumbulluar jo pak por 28 pikë. Skuadra renditet në vendin e 3-të dhe synon të fitojë titullin kampion.