Elseid Hysaj i ka dhënë fund beqarisë, duke e kurorëzuar në martesë dashurinë e tij disavjeçare me Fiorenza Lekstakaj.
Në ceremoninë e zhvilluar në Kalanë e Rozafatit në Shkodër, të ftuarit e mbrojtësit dhe kapitenit të kombëtares shqiptare ishin të shumtë. Nuk kishin si të mungonin edhe figurat publike, ku kryesisht ishin ato të karakterit sportiv. Mes të ftuarve ishte edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka.
E duke përfituar nga prania e tij, futbollisti i kombëtares shqiptare, Andi Lila, i cili po pret një akord me Tiranën gjatë këtyre ditëve, mendoi të shkëpusë një foto nën praninë e tij, teksa e cilësoi edhe një mbret të futbollit shqiptar. Ajo që tërhoqi vëmendjen ishte një puro në dorën e numrit 1 të FSHF-së, Armand Duka.
